Raporti vjetor i NATO-s e identifikon Rusinë si “kërcënimin më të madh dhe më të drejtpërdrejtë për sigurinë, paqen dhe stabilitetin tonë në rajonin euroatlantik”, duke vlerësuar se Kremlini “ka vazhduar të testojë aleancën ushtarake perëndimore, duke u bërë gjithnjë e më i pakujdesshëm, përfshirë përmes shkeljeve të hapësirës ajrore, sabotimit dhe aktivitetit malinj kibernetik”.
Sekretari i përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte, prezantoi raportin vjetor të NATO-s, në të cilin, ndër të tjera, thuhet se Rusia ka të ngjarë të përqendrohet në shënjestrimin e infrastrukturës energjetike nëse Moska ndonjëherë sulmon NATO-n.
“Rusia mbetet kërcënimi më i madh dhe më i frikshëm për sigurinë në rajonin euroatlantik. Gjatë vitit të kaluar, Rusia është përpjekur të testojë sigurinë tonë dhe të sfidojë shoqëritë tona, qoftë përmes shkeljeve të hapësirës ajrore, sabotimeve dhe aktiviteteve dashakeqe kibernetike, apo përmes ndërhyrjes politike dhe kërcënimeve informative. Përgjigjja e NATO-s ndaj provokimeve të pamenduara, qoftë nga Rusia apo të tjerët, ka qenë e qartë, e shpejtë dhe vendimtare”, tha Rutte në një konferencë për shtyp.
Raporti vjetor shqyrton përfundimet kryesore dhe arritjet e NATO-s në vitin 2025 dhe thekson se “lufta e agresionit e Rusisë kundër Ukrainës ka treguar se energjia ka të ngjarë të jetë objektivi kryesor në çdo sulm të drejtuar ndaj NATO-s”.
Në dokument thuhet po ashtu se “NATO identifikon mësimet e nxjerra nga Ukraina, ndërkohë që intensifikon stërvitjet, trajnimet dhe koordinimin për mbrojtjen e infrastrukturës kritike energjetike”, duke iu referuar një stërvitjeje ushtarake në shtator që testoi sigurinë energjetike të aleancës dhe çoi në “një kuptim të asaj që nevojitet për të garantuar sigurinë e furnizimit”.
Ballkani Perëndimor, rajon me rëndësi strategjike për NATO-n
Për Ballkanin Perëndimor thuhet se është një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n.
Në kapitujt që i referohen rajonit thuhet se prania e NATO-s në Kosovë është kyç për stabilitetin e gjithë Ballkanit Perëndimor. Kujtohet se që nga viti 1999, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, punon për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet, si dhe lirinë e lëvizjes.
Po ashtu theksohet rëndësia e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë.
Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë vlerësohet si thelbësor për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“NATO vazhdon të mbështesë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, veçanërisht përmes dialogut Prishtinë-Beograd, me ndërmjetësimin e BE-së, i cili është kyç për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme në rajon”, thuhet në raportin vjetor të aleancës ushtarake perëndimore.
Në pjesën që i referohet Bosnjës dhe Hercegovinës, dokumenti thekson se miratimi i Programit të parë të Partneritetit të Përshtatur Individual për Bosnjë dhe Hercegovinën në tetor, si dhe dorëzimi i paketës së parë të mbështetjes në kuadër të nismës për ofrimin e këshillimit strategjik, trajnimit dhe ndihmës praktike për vendet partnere, “kanë shënuar momente të rëndësishme kthese” në raportet mes Sarajevës dhe aleancës.
Prania e shtuar e NATO-s në Bosnjë dhe Hercegovinë, përmes selisë së aleancës në Sarajevë dhe Njësisë për Mbështetje të Angazhimit Politik, ka vazhduar të ofrojë mbështetje në nivel lokal, duke u angazhuar për mbrojtjen dhe sigurinë.
“Mbështetja e NATO-s për operacionin EUFOR Althea, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, në kuadër të marrëveshjes ‘Berlin Plus’, ka ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Bosnjë dhe Hercegovinë”, thuhet në dokument.
Sa i përket Serbisë, në raportin vjetor thuhet se kontaktet me këtë vend kanë vazhduar në trajtimin e çështjeve me rëndësi rajonale dhe në nisjen e nismave për bashkëpunim të ardhshëm ushtarak.
Vendet anëtare të NATO-s rrisin shpenzimet për mbrojtje
Një pjesë e madhe e dokumentit të prezantuar i kushtohet shpenzimeve për mbrojtje, që është një kërkesë kyç e presidentit amerikan, Donald Trump.
Sipas të dhënave nga raporti vjetor, anëtarët evropianë të NATO-s dhe Kanadaja investuan gjithsej 574 miliardë dollarë në mbrojtje gjatë vitit 2025, që përfaqëson një rritje prej 20 për qind në terma realë krahasuar me vitin paraprak.
“Vazhdimi i këtij trendi kyç do të jetë prioritet në vitet që vijnë. Për shumë kohë, aleatët evropianë dhe Kanadaja janë mbështetur tepër në fuqinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk kemi marrë mjaftueshëm përgjegjësi për sigurinë tonë. Por, ka një ndryshim të vërtetë në mënyrën e të menduarit, një njohje kolektive e mjedisit tonë të ndryshuar të sigurisë”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte, duke vlerësuar se po arrihet përparim i madh. /REL











