Ka përfunduar mbledhja e Grupit Parlamentar të Partsisë Socialiste. Të pranishëm në mbledhje ishin kreu i qeverisë Edi Rama si dhe Belinda Balluku, e cila tashmë është e pezulluar nga posti i zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe aktualisht gëzon vetëm statusin e deputetit.
Burime bëjnë me dije se gjatë mbledhjes, kryeministri Edi Rama nuk la një datë të mirëfilltë për mbledhjen e Këshillit të Mandateve.
Megjithatë, shefi i qeverisë theksoi se në këtë çështje ka të drejtë të kërkojë këshillim juridik ndërkombëtar.
Mbetet për t’u parë nëse do t’i drejtohet Komisionit të Venecias, por kreu i qeverisë nuk përmendi një institucion të jashtëm specifik.
Ai nxorri tre konkluzione kryesore nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres Balluku.
Edi Rama: 3 konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga : 1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton.
- Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion.
- E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit. Një shtesë nga ana ime: SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen.










