Sipas kryeministrit Edi Rama ‘të thuash që ka korrupsion do të thotë të flasësh përçartë”.
Gjatë një aktiviteti për prezantimin e vendeve të lira të punës në sektorin publik, kreu i qeverisë foli për integrimin europian duke thënë se dalin shumë raporte në botë, po i vetmi që ka analizë rigoroze është ai i Komisionit Europian.
“Të thuash që sot Shqipëria ka më shumë korrupsion se më parë do të thotë që të flasësh përçartë. Si asnjëherë më parë i është hapur luftë korrupsionit dhe i është hapur në radhë të parë politikisht nga një forcë qeverisëse që ka udhëhequr një reformë që ka çliruar duart e pavarësisë.
S’mund të ketë korrupsion në rritje dhe shumë më shumë përfitues nga gara publike. Këto janë fakte. Dalin shumë raporte në botë, por ka një që nuk bazohet në anketime që është me boshllëqe, por me një analizë rigoroze të ecjes së punës së një vendi. Dhe ky është raporti i Komisionit Europian“,tha ai.











