Partia Demokratike e Shqipërisë dhe forcat e tjera opozitare zhvillojnë sot protestën e pestë kombëtare kundër qeverisë, në një klimë të tensionuar politike. Tubimi vjen në një moment kur debatet e brendshme politike janë ndërthurur edhe me zhvillimet ndërkombëtare, veçanërisht me situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën përmes një postimi në platformën X, duke e lidhur retorikën e opozitës me zhvillimet në Iran.
“Shqipëria me botën e lirë kundër mullahëve të Teheranit, opozita shqiptare me plehrat kundër qytetarëve të Tiranës”, shkruan Rama, duke e vendosur përplasjen politike në kontekstin e qëndrimit të Shqipërisë në krah të aleatëve perëndimorë përballë regjimit iranian.
Deklarata e kreut të qeverisë vjen në një kohë kur tensionet mes Iranit dhe SHBA-së e Izraelit mbeten të larta, ndërsa Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të hapur kundër regjimit të Teheranit, duke u rreshtuar me vendet e “botës së lirë”.










