Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi në njësinë nr. 5 në Tiranë, ka folur për buxhetin e vitit 2026 dhe veçanërisht për mbështetjen që do të marrin pensionistët.
Ai e cilësoi si një moment çlirues faktin që qeveria do të shpërndajë rritjen e premtuar për pensionet, duke e quajtur këtë një “borxh të madh” ndaj të moshuarve.
Kreu i qeverisë theksoi se tashmë premtimet ndaj pensionistëve nuk janë më fjalë nëpër foltore, por pjesë e buxhetit afatmesëm të shtetit. Ai me batutë u shpreh se ato janë të ruajtura nga Erion Braçe (zv.kryetar i Komisionit të Ekonomisë) gjë që e bën edhe më të besueshme.
Rama: Kjo rrugë është shumë vendimtare, historike dhe jo e lehtë të jetë abstrakte si një gjë që duhet bërë. Dua që në çdo hap njerëzit të ndihen sado pak më mirë. Për këtë arsye, momenti kur ne na erdhi më në fund në dorë të shpërndajmë rritjen te pensionistët, është moment më çlirues për mua. Ishte një borxh i madh, më dukej makth kur thoshin pensionistët: “Po ne?”. U them të gjithë pensionistëve, ja për çfarë jemi përpjekur dhe nuk ju kemi harruar. Tashmë nuk janë më fjalë nëpër foltore, por janë të shkruara në buxhetin afatmesëm të Shqipërisë. Nuk i lëviz askush. Aq më tepër pastaj, që të imagjinosh se ato i ruan Erion Braçe. E bën edhe më të besueshme.











