Kryeministri Edi Rama dhe 40 rektorët e universiteteve publike dhe private, zhvilluan një bisedë të hapur për cilësinë e institucioneve tona të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u shpreh se është koha për të rivizatuar ligjin për arsimin e lartë, ndërsa shtoi se ka kaluar një periudhë e mjaftueshme për të reflektuar në ligj ndryshimet që ka sjellë koha.
“Duke vlerësuar sinqerisht bashkëpunimin që kemi ndërtuar dhe vijimësinë e komunikimet në një rrugë aq sa institucionale dhe aq të hapur informale, na ka dhënë mundësi të jemi në kontakt me njëri-tjetrin, të dëgjojmë dhe kuptojmë më shumë në kohë reale. Është koha për të riviiztuar ligjin për arsimin e lartë. Ka kaluar një periudhë e mjaftueshme për të reflektuar në ligj ndryshimet që ka sjellë koha.
Ajo që është e rëndësishme është që të organizohemi me një grup pune të përbashkët për të reflektuar për shqetësimet dhe shkruar ndryshimet. Sfida jonë është nga një anë ndërkombëtarizimi i universitetit. Ka ndodhur një ndryshim i rëndësishme në qasjen e Universitetit, si arsim i lartë. Ka ndryshim në qasje në lidhje me financimin. Deri dje ishte e lidhur me buxhetin e shtetit. Është krijuar një situatë e re, unë do doja që në takimin e ardhshme që të kemi, të mblidheshim për të diskutuar hapur këtë proces dhe me lejen tuaj do doja të ftonim dhe rektorët e universiteteve private”, u shpreh ai.










