Partisë Socialiste duket se i duhet edhe një mandat tjetër më i fortë, me fitore më të thellë sesa ky që ka, për të çuar para ëndrrën historike të integrimit të Shqipërisë në BE.
Kështu është shprehur vetë kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me strukturat e partisë në Durrës.
Teksa shprehu besimin se do të fitojnë të treja bashkitë e këtij qarku, kryeministri shtoi se zgjedhjet e ardhshme kanë një rëndësi të veçantë dhe më tepër sesa vendore, ato janë zgjedhje politike.
“Në zgjedhjet e ardhshme vendore ne kemi të gjitha arsyet të besojmë se do i fitojmë të treja bashkitë. Deri atë ditë duhet të bëjmë punët që duhen. Ne kemi sot një moment të historisë tonë. Për herë të parë jemi në një pozitë që të mëdhenjtë që na duhen i kemi me vete dhe kur ne duam të materializojmë një ëndërr të vjetër për ta shkëputur Shqipërinë nga pika ku në vazhdimësi jemi gjendur në vështirësi të mëdha dhe për tu pozicionuar në krah të Europës.
Na duhet një mandat më i fortë se ai që kishim, për ta bërë realitet objektivin e Shqipërisë në BE.
Sot Shqipëria duhet të vrapojë që të mos mbyllet dera që na është hapur. Ne duhet të bëjmë çmos që të mos na mbyllet dera pa u futur brenda. PS duhet të fuqizohet. Janë zgjedhje politike më shumë sesa vendore. Fati ka dashur të na bjerë neve në kurriz një gur i madh që ta çojmë përpara vendin.
Duhet të kapim trenin e historisë”, tha Rama.
Kujtojmë se në zgjedhjet e shkuara të përgjithshme ku Rama siguroi mandatin e katërt, ai tha se ky është mandati historik që do të fusin vendin në BE. Por duket se ky qëndrim ka ndryshuar tashmë.











