Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me furnizuesit e naftës për të përballuar, sikur tha ai, “së bashku impaktin e krizës aktuale globale, duke mbrojtur sa më shumë konsumatorët”. Kreu i qeverisë tha se çmimet në Shqipëri janë rritur, por tha se krahasuar me vendet e tjera në vendin tonë rritja nuk është shumë e lartë.
“Në tërësi në treg dhe përmes bursave është konstatuar rritje me 40%, në Shqipëri çmimi është rritur por në mënyrë shumë më të moderuar sesa është parë në vendet e tjera.
Gjithsesi sfida është e hapur, nuk di të thotë askush se kur do të mbyllet ajo betejë që mban faktikisht lidhur pas vetes edhe çmimin e naftës. Nuk di të thotë askush se si do të shkojë çmimi në bursë.
Ne duhet të fillojmë nga rezerva, që konsiderohet që ju keni një rezervë të arsyeshme që fizikisht është për 30 ditë, ndërsa në kontratat tuaja është e garantuar për 100 ditë. Ju kërkoj të ruani këtë ekuilibër si tani. Nuk e kemi parë të arsyeshme të hedhim hapin dhe të kalojmë në bord” tha ai.











