Gjatë deklaratës për shtyp, presidentja Vjosa Osmani tha se qytetarët s’kanë nevojë për vonesa, por për politikë që s’i trembet përgjegjësisë. Osmani theksoi se është e vetëdijshme që dekreti mund të kundërshtohet në Gjykatën Kushtetuese, por “s’ka qenë kurrë më krenare” për një vendim.
“Pyetja nuk është nëse do të ketë zgjedhje. Pyetja e vetme është sa do të kenë sukses disa që t’i zvarrisin ato? Pra pyetja e vetme është kur është data e zgjedhjeve? Qytetarët s’kanë nevojë për vonesa të reja. Kanë nevojë të dëgjohet qartë zëri i tyre. Kanë nevojë për qartësi, institucione që funksionojnë dhe jo që janë në funksion të zvarritjes. Kanë nevojë për një politikë që nuk frikësohet nga përgjegjësia. Jam plotësisht e vetëdijshme se ky dekret mund të kundërshtohet në Gjykatën Kushtetuese dhe dua ta them hapur: kurrë s’kam qenë më krenare sesa për këtë vendim. Jam shumë e qetë të përballem me një kontestim për veprim në mbrojtje të Kushtetutës sesa për mosveprim kur rrezikohen themelet e saj sepse në një republikë kushtetuese përgjegjësia më e madhe është të qëndrosh në anën e Kushtetutës dhe interesit të republikës”, tha Osmani.
Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë në një konferencë për mediat këtë të premte, ku ka njoftuar se ka vendosur të shpërndajë Kuvendin.
“Jam këtu para jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe për këtë shtet që ata nuk zgjodhën interesin e Republikës së Kosovës. Andaj sot, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, kam nxjerrë dekretin për shpërndarje të Kuvendit dhe nëpërmjet këtij dekreti po kryej detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë”, u shpreh Osmani në konferencën për media.
Presidentja shprehet se bëhet fjalë për një çështje të qartë kushtetuese dhe jo për debat politik, pasi afati i paraparë me Kushtetutë për zgjedhjen e presidentit ka skaduar. Osmani tha se u detyrua ta marrë këtë vendim si pasojë e dështimit të Kuvendit për ta kryer detyrën e vet.










