Disa përmbytje të mëdha kanë ndodhur në Tajlandë, Indonezi dhe Sri Lanka. Si pasojë e këtyre kanë humbur jetën 145 persona në Tajlandë, 174 në Indonezi dhe 56 persona në Sri Lanka. Indonezia, Malajzia dhe Tajlanda po përjetojnë skena të ngjashme të qyteteve të përmbytura, njerëzve të bllokuar nga ujërat e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut të shkaktuara nga ditët e shirave të rrëmbyeshëm.
“Në Tajlandë, numri i përgjithshëm i vdekjeve në provincat jugore ka arritur në 145” tha zëdhënësi i qeverisë Siripong Angsakulkiat, duke shtuar se më shumë se 100 persona kishin vdekur në provincën Songkla.
Mediat e huaja shkruajnë se morgu qendror në rajon është tashmë i mbipopulluar. Pjesa jugore e Tajlandës është goditur më rëndë nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet, me shumë banorë të detyruar të strehohen në çatitë e shtëpive të tyre ndërsa presin anijet e shpëtimit. Ndërkohë, në ishullin indonezian të Sumatrës, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut kanë vrarë të paktën 174 persona, ndërsa rreth 100 janë të zhdukur, sipas raportit të fundit.
“Prioriteti ynë është të shpëtojmë dhe të ndihmojmë njerëzit. Shpresojmë që moti të përmirësohet dhe të jemi në gjendje të dërgojmë një helikopter në zonë”, tha një zëdhënës i policisë , pasi shumë rrugë janë të pakalueshme.
Autoritetet e Sri Lankës kanë vendosur ushtrinë për të ndihmuar viktimat e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut që kanë vrarë 56 persona dhe kanë lënë 21 të zhdukur. Rreth 20,000 ushtarë, helikopterë, anije dhe transportues të blinduar personeli janë vendosur për të evakuuar njerëzit që jetojnë në fshatrat e largëta në Sri Lanka, tha Qendra Kombëtare e Menaxhimit të Fatkeqësive (DMC).
Shirat e rrëmbyeshëm vazhdojnë të godasin ishullin, me disa zona që kanë marrë deri në 360 mm ujë në 24 orët e fundit. Ndërkohë, lumi Kelaniya, i cili derdhet në Oqeanin Indian në nivelin e kryeqytetit Kolombo, pritet të dalë nga shtrati deri në pasdite, dhe autoritetet u kanë kërkuar banorëve të zhvendosen në vende më të larta.











