Paris Saint-Germain ka dhënë një tjetër provë force në Champions League, duke mposhtur bindshëm Chelsean me rezultatin 3-0 dhe duke konfirmuar se mbetet një nga pretendentët kryesorë për trofeun europian. Skuadra e Luis Enrique dominoi nga fillimi deri në fund, në një ndeshje ku londinezët thuajse nuk arritën të kundërpërgjigjeshin.
Gjithçka nisi shumë shpejt për francezët, teksa Khvicha Kvaratskhelia goditi që në minutat e para dhe i dha menjëherë drejtim sfidës. Goli i gjeorgjianit i preu ritmin Chelsea-t dhe i dha PSG-së kontroll total të ndeshjes. Miqtë vazhduan të shtynin përpara, ndërsa vendasit u shfaqën të pafuqishëm për të reaguar.
Epërsia u thellua më pas me Bradley Barcolan, i cili realizoi një gol spektakolar për 2-0, duke e bërë edhe më të qartë superioritetin e parisienëve. Chelsea tentoi të ndryshonte diçka me zëvendësime, por asnjë lëvizje nuk solli efektin e pritur, ndërsa PSG administroi gjithçka me qetësi dhe autoritet.
Goli i tretë erdhi nga talenti i ri Mayulu, i cili vulosi përfundimisht një mbrëmje perfekte për kampionët e Europës. Në prapavijë, Safonov u tregua gjithashtu vendimtar me disa ndërhyrje të rëndësishme, duke mos lejuar Chelsean të rikthehej në lojë në asnjë moment.
Me këtë fitore të thellë, PSG jo vetëm siguron kalimin me autoritet, por i dërgon edhe një paralajmërim të qartë gjithë rivalëve në Europë. Skuadra e Luis Enriques duket në formë të shkëlqyer dhe po e mbron statusin e saj me forcë, cilësi dhe bindje të plotë.











