Pas protestës së opozitës mbrëmjen e së shtunës, policia ka referuar në SPAK deputetin demokrat Klevis Balliu, i cili sipas autoriteteve ishte një nga organizatorët e tubimit.
“U referuan materialet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shtetasin K. B., deputet, pasi ka shkelur ligjin nr. 9754, datë 14.06.2007 ‘Për Përgjegjësinë Penale të Personave Juridikë’, si dhe për veprën penale ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme’”, njoftoi policia.
Gjatë tubimit kombëtar, protestuesit e udhëhequr nga kreu i PD-së, Sali Berisha, marshuan drejt disa institucioneve në kryeqytet.
Gjatë marshimit u hodhën molotovë dhe u dëmtuan kosha mbeturinash. Në zonën e ish-Bllokut u hodhën molotovë drejt vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, ndërsa u shënuan përplasje mes policisë dhe protestuesve.










