Drejtori i ri i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, konsiderohet një nga drejtuesit më me përvojë në radhët e bluve. Karriera e tij është ndërtuar në disa prej qarqeve më të rëndësishme të vendit, si dhe në struktura kyçe që lidhen drejtpërdrejt me luftën kundër kriminalitetit dhe garantimin e rendit publik. Gjatë viteve, Hita ka mbajtur një sërë detyrash drejtuese në zona me sfida të theksuara për sigurinë, mes tyre edhe në Shkodër. Përvoja në këtë qark, ku ka shërbyer edhe si zëvendësdrejtor i hetimit të krimit, konsiderohet një nga etapat më të rëndësishme në formimin e profilit të tij profesional. Shkodra ka qenë historikisht një zonë problematike për rendin dhe sigurinë, duke kërkuar koordinim të vazhdueshëm mes strukturave operacionale dhe atyre hetimore.
Një tjetër fazë e rëndësishme në karrierën e tij lidhet me drejtimin e Policisë në Durrës, një nga qarqet më të ndjeshme të vendit për shkak të portit më të madh në Shqipëri, aktivitetit të lartë ekonomik dhe fluksit të madh të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Drejtimi i policisë në këtë zonë kërkon përvojë të gjerë në menaxhimin e operacioneve kundër kriminalitetit dhe koordinimin e strukturave në terren. Gjatë kësaj periudhe janë zbardhur edhe disa ngjarje të rënda kriminale. Një ndër rastet më të rëndësishme lidhet me zbërthimin e vëllezërve Indrit dhe Gentjan Beqiraj, dëshmia e të cilëve ndihmoi në hedhjen dritë mbi disa ngjarje kriminale në Durrës, Tiranë dhe zona të tjera të vendit.
Në profilin e tij profesional bie në sy edhe fakti se gjatë gjithë karrierës në Policinë e Shtetit, emri i Hitës nuk është përfolur për lidhje me krimin apo grupe kriminale. Ai nuk është përmendur në asnjë rast në kontekst të kultivimit të lëndëve narkotike apo aktiviteteve të tjera të paligjshme, duke ruajtur një profil të pastër dhe një reputacion të qëndrueshëm profesional. Së fundmi, prej rreth 1 viti e gjysmë më drejtimin e Policisë së Fierit, qarku ka njohur nivele të uljes së kriminalitetit.











