Real Madridi u ndal në një barazim pa gola ndaj Rayo Vallecano-s në javën e 12-të të La Ligës, por lajmet e këqija nuk mbaruan aty. Klubi ka konfirmuar se mesfushori uruguaian Fede Valverde ka pësuar një dëmtim muskulor në semimembranozin e këmbës së djathtë.
Sipas njoftimit zyrtar, Valverde i është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore të hënën, më 10 nëntor, dhe do të qëndrojë nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të ekipit. Ende nuk është bërë e ditur koha e rikuperimit, por mungesa e tij përbën një goditje për Xabi Alonson, i cili tashmë përballet me kritika për menaxhimin e skuadrës.
Pavarësisht barazimit, Los Blancos mbeten në krye të renditjes me 31 pikë pas 12 ndeshjeve, tre më shumë se ndjekësi më i afërt. Ndërkohë, drejtuesit e klubit mbeten të përqendruar në rinovimin e kontratës së Vinícius Júnior, mes raportimeve për tensione mes trajnerit dhe lojtarit brazilian.











