Territori i qarkut të Kukësit po përballen me kushte të këqija atmosferike, me reshje të dendura shiu dhe mjegull të dendur që kanë përfshirë zonat e ulëta dhe luginat. Intensiteti i reshjeve ka shkaktuar probleme të shumta në rrugët rurale dhe ato nacionale. Segmentet më të prekura përfshijnë Kukës–Qafë Mali, Kukës–Bushtricë, Kukës–Shishtavec, Kukës–Kam–Tropojë dhe Kukës–Bushtricë–Peshkopi. Në këto rrugë ka prezencë uji dhe rënie gurësh dhe materialesh të tjera ndërtimore, duke shkaktuar rrezik për drejtuesit e mjeteve. Është rekomanduar që ata të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.
Rruga e Kombit ka pësuar gjithashtu ndikime nga moti i keq. Segmenti Kolsh–Tuneli i Kalimashit është përfshirë nga mjegull e dendur, e cila ka pamundësuar qarkullimin e automjeteve. Gjithashtu, janë regjistruar rënie gurësh dhe dherash në afërsi të fshatit Myç–Mamëz dhe pranë një divizioni ushtarak në Kukës, duke shtuar rrezikun për aksidente. Drejtuesit janë detyruar të ulin shpejtësinë për tiu shmangur këtyre situatave të rrezikshme.
Përveç problemit me rrugët, reshjet e pandërprera kanë shkaktuar dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të thella malore. Sipas informacionit zyrtar, reshjet po ndikojnë gjithashtu në rritjen e nivelit të ujit në Liqenin e Fierzës, i cili po rritet me rreth 30 centimetra për ditë, dhe është në një pikë kritike.
Autoritetet kanë shkuar në terren për të monitoruar situatën dhe për të siguruar që masat e nevojshme të merren për të përballuar kushtet e motit. Situata mbetet dinamike, dhe autoritetet janë të angazhuara për të mbajtur qytetarët të informuar mbi çdo zhvillim të ri, duke u ofruar ndihmën e nevojshme në rast emergjencash.










