Parlamenti i Portugalisë ka miratuar një projektligj të propozuar nga partia e ekstremit të djathtë, Chega, e cila ndalon veshjet që mbulojnë fytyrën për arsye fetare ose gjinore. Ky ligj ka marrë mbështetje nga partitë e qendrës së djathtë, por është kundërshtuar nga partitë e majta, të cilat e shohin këtë iniciativë si qëllim për të nxitur ndasi.
Sipas projektligjit, ndalohet përdorimi i veshjeve që pengojnë identifikimin e fytyrës në hapësira publike, duke goditur kryesisht gratë që mbajnë burka apo nikab. Nisma gjithashtu ndalon detyrimin e individëve për të mbuluar fytyrën për arsye fetare ose gjinore. Megjithatë, ligji ka disa përjashtime, siç janë aeroplanët, ambiente diplomatike dhe vëndet e adhurimit, si dhe situatat ku mbulimi i fytyrës është i nevojshëm për arsye sigurie ose klimatike.
Pas miratimit nga Parlamenti, projektligji do të shqyrtohet nga Komisioni për Çështjet Kushtetuese, ku mund të pësojë ndryshime para se të kthehet për votim në seancën plenare. Nëse miratohet, ligji duhet gjithashtu të miratohet nga presidenti Marcelo Rebelo de Sousa, i cili ka mundësinë të kthejë ligjin për rishikim ose ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Në rast të miratimit përfundimtar, ndalimi do të mbizotërojë në të gjitha hapësirat publike, duke përfshirë rrugët, shërbimet publike, qendrat tregtare dhe ngjarjet publike, me gjoba që variojnë nga 200 deri në 4,000 euro. Individët që detyrojnë të tjerët të mbulojnë fytyrën përmes dhunës ose kërcënimeve do të përballen me dënime më të rrepta, duke përfshirë burgimin deri në tre vjet.
Kreu i Chega-s, André Ventura, e justifikoi ligjin si një mënyrë për të mbrojtur vlerat dhe traditat portugeze. Në anën tjetër, një deputet i Partisë Socialiste, Pedro Delgado Alves, e kritikoi këtë iniciativë për përpjekjet e saj për të nxitur urrejtjen ndaj komuniteteve specifike. Nëse shkon në fuqi, Portugalia do të bashkohet me vende si Franca dhe Belgjika që kanë ndaluar gjithashtu mbulesat e fytyrës për arsye të ngjashme.










