Dhjetëra qytetarë janë mbledhur për herë të dytë përpara Ministrisë së Arsimit për të protestuar për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani.
Pjesë e këtij marshimi është bërë dhe Jonida Proga, motra e Egli Progës i cili u vra në Pogradec në gusht të këtij viti.
Me lot në sy, ajo ka prekur me fjalimin e saj teksa kërkon drejtësi për jetët e pafajshme ndërsa përgjegjës të plotë Jonida bën insitucionet qeveritare.
Jonida Proga tregon sesi familja e saj që u detyrua të largohej nga Pogradeci pas vrasjes makabre të së vëllait, të njëjtën gjë po kalon dhe famija e Martinit, të cilët duan të zhduken nga ky vend që i ngjall vetëm tmerr.
Duke iu drejtuar me një thirrje direkte policisë, ajo thotë të mos bëhen të njëjtat marifete siç u bë me zbardhjen e vrasjes së vëllait të saj, ndërsa thotë që të nxirret përpara drejtësisë autori tjetër që ka qenë pjesë e konfiktit.
“Ju tashmë më njihni, vazhdoj të jem motra e Egli Porgës. Erdha sot për Martinin, çfarë zemre duhet të ketë një nënë që as nuk mallkon e as nuk kërkon hakmarrje për kasapin e djalit të saj. A ka njeri në Shqipëri të ma thotë. Florina vetëm vajton e vajton dhe nuk kërkon asgjë, e as drejtësi. Ku është Vilma Peleshi, nëna e vrasësit, përse nuk flet, pse nuk e përqafon Florinën që vetëm qan e qan dhe nuk fajëson askënd. Ku do gjeni ju prindër më të paqtë se prindërit e Martinit që u iki drita e syve dhe s’kërkojnë asgjë vetëm të ikin nga sytë këmbët nga ky vend. Prindërit e Martinit duan të ikin jashtë Shqipërisë e të harrojnë këtë vend që është kthyer në vend krimi. Edhe familja ime iku nga Pogradeci, erdhën në Tiranë se nuk mund të qëndrojnë në atë vend krimi. Edhe sa fëmijë të tjerë duhet të vriten me jataganë nëpër shkolla. Unë jam këtu për të bërë thirrje publike, për ata që kanë fëmijë, vëllezër motra, prindër që jetojnë të pasigurt në këtë vend, ngrihuni dhe mos lejoni më t’iu vriten të dashurit dhe të afërmit tuaj. Të kërkojmë drejtësi hyjnore dhe jo juridike. Këto do ta fillojmë, sot do kërkojmë përgjegjësi morale për therjen e Martinit.
I bëj thirrje policisë, mos bëj të njëjtin marifet si me vëllain tim. Gjej jataganin dhe vrasësin tjetër e të mos justifikohet. Qeveri po të thërras, po rrit kriminelë, ke përgjegjësi për atë që vrau Martinin. I bëj thirrje popullit të na bashkohen, ti bashkohen dhimbjes sonë. Mos bëni sehir por ngrihuni dhe bashkojuni Florinës”, ishte fjala e mbajtur në protestë nga Jonida Proga.
Fjala e plotë e Jonida Progës:
Ju tashmë më njihni, vazhdoj të jem motra e Egli Progës!
Erdha sot këtu mes jush për Martinin – engjëllin e vogël të babait të tij dhe Florinës, nenës së tij zemërmadhe.
Çfarë zemre duhet të ketë një nënë që nuk mallkon e as nuk kërkon hakmarrje për kasapin e djalit të saj 14-vjeçar – dritën e syve të saj? A ka njeri në Shqipëri të ma thotë?
Florina vetëm vajton e vajton dhe nuk kërkon asgjë madje as drejtësi. E përse duhet drejtësia pas ikjes së martinit të vogël? Për të edukuar babain e vrasësit, vrasësin me jatagan në dorë, apo nënën e tij që nuk duket askund në këtë tragjedi.
Ku është Vilma Përlleshi? Nëna e vrasësit? Përse nuk flet? Përse fshihet? Përse nuk e përqafon Florinën që vetëm qan e qan dhe nuk fajëson askënd. As ty – zonjë që më dëgjon dhe fshihesh bashkë me babain e vrasësit.
Ku do gjeni ju prindër më të paqtë në rruzullin tokësor se prindërit e Martinit që ju iku drita e syve nga jatagani në zemër dhe nuk kërkojnë asgjë – vetëm të ikin nga sytë këmbët nga ky vend. Nga skena e krimit!!
A dëgjon qeveria, policia, prokuroria, media, populli mbarë! Prindërit e Martinit të vrarë duan vetëm të ikin jashtë Shqipërisë dhe të harrojnë këtë vend që është kthyer në një vend krimi. Po, po, vend krimi.
Edhe familja ime iku nga Pogradeci i banditëve, erdhi në Tiranë se nuk mundet të qëndrojë më aty në atë vend krimi.
Sa kohë do vazhdojë kjo gjendje? Edhe sa? Edhe sa engjëj të tjerë duhet të vriten me jataganë nëpër shkolla? Po, po me jataganë. Kemi dëgjuar në Amerikë që ndodhin masakra me pushkë apo armë zjarri se atje lejohet por ku kemi parë e dëgjuar të theren me jatagan në shkolla? Në derën shkollës.
Dhe fillon hetimi e më pas gjykimi. Po Martinin kush e rikthen në këtë jetë? Jatagani i drejtësisë? Po Egli Progën kush do ta takojë me fëmijët e tij? Gjykata e Korçës që do dënojë maskarenjtë që e dhunuan pa mëshirë dhe pa asnjë shkak?
Unë jam këtu për të bërë një thirrje publike për të gjithë ata që kanë fëmijë, vëllezër, motra, prindër, që jetojnë të pasigurt në këtë vend që është kthyer në një skenë krimi.
Ngrihuni dhe mos lejoni me t’ju vriten të dashurit dhe të afërmit tuaj. Bëhuni bashkë me prindërit e Martinit dhe bashkë me mua të kërkojmë drejtësi hyjnore jo juridike. Si do ta kërkojmë? Ku? Ja do ta fillojmë këtu, sot. Për hatër dhe nderim të Martinit do kërkojmë përgjegjës morale. Duam të ketë përgjegjës moralë për therjen e Martinit. Nuk janë prindërit e vrasësit përgjegjës moralë? Ata të hetohen si pronarë të jataganit të djalit të tyre. U them atyre mësuesve që kanë vënë dhjeta në dëftesën e vrasësit që ju jeni vrasësit e Martinit po aq sa vrasësi me emër i tij. Nuk shkojnë dhjetat me jataganin në çante o mësues të shkollës së vrasësit. Nuk ka asnjë mundësi që dhjeta në fletoren e vrasësit të qëndrojë krah për krah me jataganin.
I bëj thirrje Policisë së Shtetit mos bëjë të njëjtin marifet si me vëllain tim, por të gjejë jataganin dhe vrasësin tjetër e mos justifikohet, por të vetëfajësohet.
Kush del me jatagan në moshën 14-vjeçare e imagjinoni ç’mund të bëjë në moshën 24 apo 34.
Qeveri, po të thërras – Ti po rrit kriminelë në këtë vend! Ke përgjegjësi për krimin që vrau Martinin.
Është dita ta nxirrni përgjegjësin e parë dhe mos rrini të prisni si të kalojnë ditët dhe të fashitet dhimbja jonë. Jo! Ne s’do lejojmë që dhimbja jonë të shkojë kot së koti edhe këtë herë!
I bëj thirrje popullit të na bashkohet!! Jo politikisht, po njerëzish! T’i bashkohen dhimbej sonë që nuk kërkon hakmarrje, por vetëm drejtësi hyjnore që duhet të bëhet nga të gjithë bashkë mos bëni sehir, por ngrihuni dhe bashkojuni Florinës – mamasë së Martinit që nuk po sheh nga lart ndeshje, por po na sheh ne se çfarë do të bëjmë për ëndrrën që ju pre në mes!