Kombëtarja shqiptare ka nisur grumbullimin për ndeshjen e fazës play-off të Botërorit 2026 kundër Polonisë. Pasditen e sotme, skuadra e drejtuar nga Sylvinho zhvilloi seancën e parë stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”, ku puna u përqendrua te palestra, përgatitja fizike dhe ushtrimet taktike në fushë.
Në stërvitje morën pjesë 23 futbollistë, ndërsa Myrto Uzuni, Nazmi Gripshi dhe Ylber Ramadani pritet t’i bashkohen ekipit gjatë mbrëmjes. Uzuni dhe Gripshi kanë vonuar ardhjen për shkak të udhëtimit, ndërsa Ramadani për arsye familjare, pasi është bërë baba për herë të tretë pikërisht sot.
Skuadra do të vijojë përgatitjet edhe nesër me një tjetër seancë në “Shtëpinë e Futbollit”. Më pas, të mërkurën, Kombëtarja do të niset drejt Varshavës, ku më 26 mars, në orën 20:45, do të përballet me Poloninë.













