Një vajzë nëntë muajshe, Giulia, humbi jetën sot pas një sulmi të tmerrshëm nga një pitbull në Itali.
Qeni, që ishte i familjes së foshnjës, e kafshoi atë ndërkohë që ajo po flinte në shtratin e saj. Pasi u dërgua në spital, mjekët nuk mundën të bënin gjë dhe e shpallën të vdekur.
Giulia u kafshua rëndë në fytyrë dhe në kokë. Fillimisht, babai i saj 25-vjeçar pretendoi se vajza u sulmua nga një qen endacak, por pas reagimit të zemëruar të gruas së tij, që ishte në punë në atë moment, ai pranoi të thoshte të vërtetën. Fqinjët kanë treguar se pitbulli ishte shfaqur agresiv. Madje, gjatë verës së kaluar, ai kishte arritur të arratisej dhe kishte sulmuar një qen të vogël që po shëtiste.
Një fqinj e përshkruajti familjen e Giulia-s si njerëz të mirë, por tha se ata nuk e kishin kuptuar plotësisht rrezikun që ai qen mund të përbënte. Prokuroria ka nisur hetimet për rastin dhe ka urdhëruar kryerjen e një autopsie.











