Gjykata Kushtetuese do të vendosë sot nëse do ta kalojë për shqyrtim ankimimin e qeverisë për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut si ministre dhe zëvendës kryeministre nga GJKKO.
Vendimi duhej të ishte marrë ditë më parë, por shqyrtimi i kërkesës u shty për më 2 dhjetor. Shkak u bë largimi nga gjykata Holta Zaçajt, e cila ishte pjesë e Kolegjit që do të trajtonte në dhomë këshillimi çështjen, dhe gjyqtarja që e zëvendësoi Marsida Xhaferllari, kërkoi kohë që të njihej me aktet.
Nëse sot Kolegji vendos kalimin e çështjes për shqyrtim, atëherë pritet që seanca plenare e Gjykatës Kushtetuese të shprehet fillimisht për shuarjen e efekteve të pezullimit, në pritje të një vendimi përfundimtar për çështjen.
Kryeministri Edi Rama nuk e shkarkoi nga detyra Ballukun pas pezullimit nga GJKKO, por i hoqi të drejtën e firmës ndërsa iu drejtua Kushtetueses. Qeveria kërkon të zgjidhet mosmarrëveshja e kompetencave e krijuar mes saj dhe GJKKO-së dhe shfuqizimin e vendimit për pezullimin nga detyra.
Parashikimi kushtetues, sipas të cilit anëtari i qeverisë gëzon imunitetin e deputetit, është pika kryesore mbi të cilin kryeministrit Edi Rama ka ndërtuar ankimin. Sipas ankimit, përsa kohë nuk mund të vendoset gjyqësisht pezullimi nga detyra i deputetit, kjo s’mund të ndodhë as për një ministër. Në ankimim flitet për ndërhyrje të pastër në kompetencat e një tjetër pushteti, siç është ai ekzekutiv, dhe se GJKKO ka marrë attribute që nuk ia njeh Kushtetuta.
Edhe një ditë më parë, kreu i qeverisë reagoi në përgjigje të akuzave të Berishës se po ushtronte presion ndaj Kushtetueses, teksa tha se kjo është një betejë e rëndësishme që nuk lidhet me emrin e Ballukut, por një betejë institucionale për të mbrojtur kufirin ndarës mes pushteteve.
Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit. Ajo është marrë e pandehur për procedurat në tenderin e tunelit të Llogorasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe. Në të dy rastet, dyshohet se fituesi është paracaktuar. SPAK ka bërë të ditur se po heton dhe një sërë procedurash të tjera prokurimi.










