Krishtlindjet kanë shërbyer shpesh si frymëzim për kinemanë, duke dhuruar disa nga filmat më të dashur për publikun. Nga klasiku It’s a Wonderful Life (Është një jetë e mrekullueshme) i Frank Capra-s, deri te zgjedhja më e pazakontë si Die Hard (Vështirë për t’u vrarë) me Bruce Willis, lista e filmave është e gjatë. Megjithatë, vetëm disa prej tyre janë kthyer në traditë të përvitshme për festat. Ja pesë prej më të mirëve:
1. Home Alone (I vetëm në shtëpi)
Pa dyshim, Home Alone është filmi që identifikohet më fort me Krishtlindjet. I publikuar 35 vite më parë dhe me regji nga Chris Columbus, filmi e bëri të famshëm Macaulay Culkin.
Historia ndjek 8-vjeçarin Kevin McCallister, i cili mbetet aksidentalisht vetëm në shtëpi, ndërsa familja e tij udhëton drejt Parisit për pushimet e festave. Fillimisht ai shijon lirinë, por situata ndryshon kur dy hajdutë përpiqen të grabisin shtëpinë e tij.
2. The Nightmare Before Christmas (Makthi para Krishtlindjes)
Një nga filmat më origjinalë të festave, The Nightmare Before Christmas, kombinon atmosferën e Krishtlindjeve me atë të Halloween-it. Edhe pse i drejtuar nga Henry Selick, filmi lidhet ngushtë me stilin e Tim Burton, i cili ishte skenarist dhe producent.
Filmi tregon historinë e Jack Skellington, mbretit të Halloween Town, i cili zbulon botën e Krishtlindjeve dhe përpiqet të marrë kontrollin e tyre, duke shkaktuar pasoja të papritura.
3. It’s a Wonderful Life (Është një jetë e mrekullueshme)
Ky film konsiderohet klasik absolut i Krishtlindjeve. It’s a Wonderful Life rrëfen historinë e një burri që, në prag të festave, ndodhet përballë një krize të thellë personale. Ndërhyrja e engjëllit të tij mbrojtës e ndihmon të kuptojë vlerën e jetës dhe ndikimin që ka pasur te të tjerët.
Edhe pse fillimisht pati kritika të përziera dhe nuk fitoi çmimet Oscar për të cilat u nominua, me kalimin e viteve filmi u kthye në simbol të shpresës dhe humanizmit.
4. Love Actually (Dashuri në të vërtetë)
Love Actually është një nga filmat romantikë më të dashur të festave. I publikuar në vitin 2003, filmi i Richard Curtis bashkon dhjetë histori dashurie që zhvillohen gjatë periudhës së Krishtlindjeve.
Me një kast të njohur që përfshin Hugh Grant, Emma Thompson, Keira Knightley dhe Colin Firth, filmi mbetet një zgjedhje e preferuar që rikthehet çdo vit në ekran.
5. Die Hard (Vështirë për t’u vrarë)
Ndoshta zgjedhja më e debatueshme, Die Hard është një film aksion që zhvillohet gjatë Krishtlindjeve. Bruce Willis luan rolin e John McClane, një polic që përpiqet të ndalojë një grup kriminelësh që kanë pushtuar një ndërtesë dhe kanë marrë pengje.
Edhe pse nuk është një film tipik festiv, atmosfera dhe koha e ngjarjeve e kanë kthyer në një klasik alternativ










