Në ditët e sotme, gjithnjë e më shumë njerëz ndihen të shqetësuar për gjendjen e planetit për shkak të ndryshimeve klimatike. Ky shqetësim, i njohur si “ankthi klimatik”, përfshin ndjenja stresi, frike dhe trishtimi.
Megjithatë, sipas ekspertëve, këto emocione nuk duhet të çojnë në paralizë, por mund të shndërrohen në nxitje për veprim pozitiv.
Euronews Green ka ndjekur prej tre vitesh një qasje proaktive, duke raportuar histori pozitive nga fusha e mjedisit. Çdo vit publikohen dhjetëra artikuj që fokusohen te inovacionet ekologjike, përparimet në mbrojtjen e natyrës dhe fitoret konkrete në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Kjo qasje synon të ofrojë shpresë dhe të tregojë se ekzistojnë gjithmonë mundësi për përmirësim. Siç shprehet aktivistja për klimën, Tori Tsui, “çdo njeri ka një rol” në veprimin për klimën.
Ndër historitë më frymëzuese ambientale të vitit 2025 përmenden disa projekte transformuese.
Një prej tyre është krijimi i një popullate të re të iguanave në një ishull të vogël në Karaibe, falë një programi kombëtar inovativ të “matchmaking”-ut për ruajtjen e biodiversitetit.
Po ashtu, disa shtete kanë arritur të ulin emetimet e CO₂ pa dëmtuar rritjen ekonomike, duke shënuar një kthesë të rëndësishme në politikat klimatike.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm janë iniciativat ndërkombëtare për krijimin e një Çmimi Nobel për shëndetin klimatik dhe planetar, si një përgjigje simbolike dhe praktike ndaj krizës globale të klimës.
Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, shkencëtarët po përdorin fibra optike si “mikrofonë” për të dëgjuar balenat, duke ndihmuar në monitorimin dhe mbrojtjen e habitateve të rrezikuara detare.
Këto shembuj tregojnë se, pavarësisht sfidave të mëdha, ndryshimi është i mundur dhe shpesh fillon me hapa konkretë. Çdo individ mund të kontribuojë për një të ardhme më të gjelbër.











