Përplasja mes biznesmenëve Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi lidhur me projektin e Aeroportit të Vlorës është thelluar, duke u shndërruar në një seri akuzash të ndërsjella për mashtrim, manipulim dhe fshehje marrëveshjesh biznesi.
Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Valon Ademi e cilësoi Pacollin si “mashtrues ordiner dhe manipulator”. Ai tregoi gjithashtu një episod të ndodhur në Lugano, ku, sipas tij, Pacolli kishte shpërthyer në lot gjatë një bisede në makinë.
“Sapo u futëm në makinë, ai nisi të qante dhe më tha: ‘Të gjithë po ma bëjnë me të padrejtë’,” – deklaroi Ademi.
Deklaratat e tij erdhën pak ditë pasi Pacolli kishte reaguar publikisht me akuza të forta ndaj Ademit, duke pretenduar se ishte vetë ai që ishte mashtruar dhe manipuluar në procesin e transferimit të aksioneve të aeroportit.
Versioni i Behgjet Pacollit
Sipas Pacollit, ngjarja lidhet me një episod të korrikut 2023, kur një bashkëpunëtor i afërt i Ademit i kishte paraqitur disa dokumente për t’i nënshkruar, duke i paraqitur ato si “formalitete të zakonshme bankare”. Ai pretendon se ka firmosur pa e lexuar dokumentin, për të zbuluar më vonë se bëhej fjalë për një marrëveshje që parashikonte transferimin e aksioneve të Aeroportit të Vlorës në prill 2025.
Pacolli theksoi se marrëveshja fillestare me Ademin kishte qenë vetëm gojore, sipas së cilës secili duhej të zotëronte aksione në përpjesëtim me investimin real që bënte.
Ai akuzon Ademin se ka shtrembëruar marrëveshjen, ka paraqitur shifra të pasakta dhe ka vepruar në mënyrë të njëanshme për të marrë kontrollin e kompanisë.
Gjithashtu, Pacolli deklaroi se nuk ishte informuar për kostot e ndërtimit, për lëvizjet financiare dhe për vendimet kryesore që ishin marrë pa dijeninë e tij.
Kjo përplasje publike mes dy biznesmenëve, që deri para pak muajsh ishin partnerë në projektin strategjik të Aeroportit të Vlorës, ka hedhur hije mbi mënyrën e menaxhimit dhe transparencën e këtij investimi të rëndësishëm.








