Përmbytjet kanë përfshirë Francën, duke thyer rekordin 66-vjeçar për periudhën më të gjatë të reshjeve, teksa katër departamente perëndimore mbeten në alarm të kuq, ndërkohë që kryeministri Sebastien Lecornu bëri thirrje për “mobilizim total”.
“Përmbytjet në Francën perëndimore kërkojnë mobilizim total. Shteti është angazhuar menjëherë, pa vonesë dhe pa ndërprerje, në krah të banorëve dhe bashkive të prekura. Janë nisur procedurat për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, shkroi Lecornu në platformën sociale amerikane X.
Sipas Meteo-France, departamentet Maine-et-Loire, Charente-Maritime, Gironde dhe Lot-et-Garonne janë në alarm të kuq për rrezik përmbytjesh.
Rajoni Angers në Maine-et-Loire është goditur veçanërisht rëndë, me lumenj të dalë nga shtrati që kanë përmbytur rrugë dhe banesa.
Edhe lumi Seine ka dalë nga shtrati në Paris, megjithëse situata paraqitet më pak e rëndë se në perëndim. Disa akse kryesore në kryeqytet janë mbyllur si masë paraprake.
Teksa vendi përgatitet për stuhinë Pedro, përmbytjet kanë shkaktuar ndërprerje në trafikun hekurudhor në Francën perëndimore.
Franca ka përjetuar 35 ditë rresht reshje shiu, periudha më e gjatë e pandërprerë e regjistruar që nga viti 1959.
Meteo-France paralajmëroi gjithashtu për rrezik të lartë ortekësh në Alpe, me mundësi përkeqësimi të situatës në nivele “kritike”.











