Hunter Biden ka reaguar me zemërim ndaj aktorit George Clooney për vënien në dyshim të mprehtësisë mendore të babait të tij gjatë garës zgjedhore të vitit 2024, një ndërhyrje që çoi në tërheqjen e Joe Biden nga kandidimi për president.
Pasi u takua me Bidenin në një aktivitet për mbledhje fondesh në Los Angeles verën e kaluar, Clooney u bë një nga figurat e para të mëdha demokrate që i bëri thirrje Joe Bidenit të tërhiqej nga gara. Më pak se dy javë më vonë, ish-presidenti Biden njoftoi se do të tërhiqej për kandidaten e ardhshme demokrate, zëvendëspresidenten Kamala Harris.
Clooney u përfshi në fushatën presidenciale nëpërmjet një artikulli opinioni në New York Times në korrik 2024 me titull ” E dua Joe Biden. Por na duhet një kandidat i ri”. Aktori shprehu mbështetje për axhendën e presidentit, por vuri në dukje shqetësimet për debatin katastrofik kundër Trump, në të cilin ai pati një performancë të dobët në krahasim me rivalin e tij.
Në intervistë, Hunter Biden ia hodhi fajin për paraqitjen e dobët të babait të tij një axhende të ngjeshur udhëtimesh dhe marrjes së ilaçit Ambien, i njohur edhe si zolpidem, i cili përdoret për të trajtuar problemet e gjumit.”I japin Ambien që të flejë. Ai ngjitet në skenë dhe duket si i fjetur”, tha ai, shkruan BBC.
Në artikullin e New York Times, Clooney tha se takimi me Bidenin në eventin bamirës tregoi se ai ishte i njëjti njeri që u pa në debat.
Më shumë detaje rreth takimit në mbledhjen e fondeve u zbuluan në një libër të kohëve të fundit nga gazetarët Jake Tapper dhe Alex Thompson, të cilët raportuan se presidenti dukej shumë i dobësuar dhe se nuk e njohu aktorin.