IKMT në bashkëpunim me IMT në Vlorë kanë nisur shembjen e një godine dykatëshe, e cila pengonte realizimin e projektit për lidhjen e portit detar me rrugën Transballkanike.
Objekti, që më parë ka shërbyer si banesë, po prishet mes kundërshtimeve të ish-banorëve. Ata pretendojnë se prona është e pajisur me dokumente të rregullta pronësie dhe se çështja ndodhet aktualisht në shqyrtim në Gjykatën e Apelit.
Sipas tyre, Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë u ka dhënë të drejtë pronarëve, të cilët nuk janë kundër shembjes së objektit, por kërkojnë dëmshpërblim të drejtë financiar. Ata theksojnë se, për sa kohë çështja është ende në proces gjyqësor në Apel, ndërhyrja për prishjen e godinës është e parakohshme.
Godina dykatëshe, e dallueshme për ngjyrën e saj të verdhë, prej fundit të vitit të kaluar ndodhej në mes të një prej korsive të qarkullimit në aksin që lidh portin me rrugën Transballkanike.
Autoritetet ndërkohë vijojnë aksionin për shembjen e saj, duke argumentuar se kjo ndërhyrje është e nevojshme për t’i hapur rrugë projektit infrastrukturor që lidh portin detar me rrugën Transballkanike.











