Kryeministri japonez Shigeru Ishiba ka shpallur dorëheqjen pas më pak se një viti në detyrë, duke e lënë Partinë Liberal Demokrate (PLD) pa shumicë në parlament për herë të parë në 15 vjet. Ishiba është përballur me dy humbje të mëdha në zgjedhje, duke e bërë të pamundur që partia e tij të mbante kontrollin. Largimi i tij ndodh në një periudhë të vështirë për Japoninë, e cila po përballet me një krizë ekonomike dhe tensione rajonale.
Dorëheqja u njoftua një ditë para një votimi të mundshëm brenda partisë që mund ta kishte detyruar atë të largohej. Gjatë mandatit të tij, i cili filloi në tetor 2024, Ishiba nuk arriti të fitonte besimin e publikut, ndërsa inflacioni dhe rritja e kostove të jetesës e goditën rëndë ekonominë japoneze, duke përfshirë dyfishimin e çmimeve të orizit. Ndërkohë, ai refuzoi të jepte dorëheqjen derisa të përfundonin negociatat me SHBA-në për tarifat ndaj eksporteve japoneze. Ai besonte se këto negociata ishin të rëndësishme për administratën e tij dhe duhej të mbylleshin nën përgjegjësinë e tij.
Marrëveshja e arritur javën e kaluar me SHBA-në për lehtësimin e tarifave të vendosura nga Presidenti Donald Trump, duket se ishte një hap që e shpuri drejt dorëheqjes. Kritikat e brendshme, përfshirë emërimin e vetëm dy grave në kabinet dhe akuzat për shpërndarje të dhuratave të shtrenjta, gjithashtu kontribuan në pakënaqësinë ndaj tij.
Tani, PLD do të mbajë zgjedhje të brendshme për të emëruar një udhëheqës të ri, i cili do të miratohet nga parlamenti si kryeministër. Dorëheqja e Ishibës krijon një periudhë të pasigurisë politike për Japoninë, ekonominë e katërt më të madhe në botë dhe një aleate të rëndësishme të SHBA-së, në një kontekst ku tensionet me Kinën dhe sfidat rajonale janë në rritje. Kjo situatë nxit shqetësime në lidhje me stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit në një kohë kaq delikate.