Të hënën, më 14 korrik, përmbyllet zyrtarisht aksioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) në Parkun Kombëtar të Thethit, ku janë shembur 70 ndërtime pa leje përgjatë vitit të fundit.
Sipas njoftimeve zyrtare, dy objektet e fundit kanë afat për t’u çmontuar vullnetarisht nga pronarët deri në orën 18:00 të së hënës. Pjesa më e madhe e mjeteve të rënda dhe punonjësve të IKMT-së dhe strukturave të tjera shtetërore janë larguar tashmë nga zona.
Të martën pritet që në Theth të angazhohen forcat e ushtrisë dhe të pushtetit vendor për të nisur pastrimin e mbetjeve ndërtimore. Urdhri është që pastrimi të përfundojë në një kohë sa më të shpejtë, për të mos ndikuar negativisht në sezonin turistik.
Autoritetet kanë bërë thirrje për banorët e zonës që të aplikojnë në paketën e zhvillimit të maleve, për të qenë përfitues në procesin e zhvillimit të zonës, sipas rregullave dhe planifikimit të qëndrueshëm.
Kujtojmë që aksioni për shembjen e objekteve pa leje në Theth nisi pas urdhrit të kryeminisrti Rama, i cili denoncoi publikisht ndërtimin e 11 kabinave pranë Kishës ikonike të Thethit.