Seanca plenare e së enjtes nisi dhe përfundoi me rrëmujë.
Mes kaosit e rrëmujës, 7 anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar u votëbesuan të enjten në Kuvend. Ndërsa nisi votimi për secilin prej ndryshimeve, Berisha dhe deputetë të tjerë të PD zaptuan foltoren.
Për Albana Koçiun zv.kryeministre, Toni Gogun Ministër të Drejtësisë, Besfort Lamallarin të Brendshëm, Erjona Ismailin Ministre Shteti për Parlamentin, Ferit Hoxhën kryediplomatin e ri, Ermal Nufi te Mbrojtja si dhe për Enea Karakaçin, që zëvendëson Belinda Ballukun te Infrastruktura dhe Energjia, votës së socialistëve iu bashkuan edhe kartonët jeshilë të deputetëve të Partisë Social-Demokratike.
Hoxha, Karakaçi dhe Nufi, që vijnë rishtazi në qeveri, votëbesimin e ndoqën nga lozhat e Kuvendit.
Ministrat e rinj do të betohen te Presidenti në orën 10:00, në një ceremoni që do të mbahet në Pallatin e Brigadave.
Kuvendi votoi edhe shkarkimet e tashmë ish ministrave, me dekretin për Belinda Ballukun që më shumë se të tjerët mori shumicë të cilësuar, 85 vota pro shkarkimit.
Për votimin e ndryshimeve të propozuara prej tij, në seancë nuk mori pjesë kryeministri Edi Rama. Mungoi edhe vetë Balluku, që me shkarkimin nga 2 detyrat në qeveri, tashmë do të duhet të zërë një karrige mes deputetëve socialistë.











