Vjedhja e vazhdueshme e fondeve dhe pangopshmëria e pushtetarëve po godasin përsëri Shqipërinë në raport me Bashkimin Evropian.
Sipas asaj që raporton “Kapital.al”, pas vendimi të BE-së për ndërprerjen e grandeve të fermerëve për shkak të korrupsionit, tashmë një masë po kaq drastike është marrë për sektorin dixhital në vend. Natyrisht arsyeja është e njëjtë, korrupsioni qeveritar.
BE ka vendosur të ngrijë fondet për këtë sektor në Shqipëri, dhe e gjitha lidhet me megaaferën dhe vjedhjen masive që ka bërë Mirlinda Karçanaj me miqtë e saj të AKSHI-t. Sipas të njëjtit burim, Komisioni Evropian ka njoftuar zyrtarisht qeverinë shqiptare për ngrirjen pa afat të financave, me argumentin se duhet të mbrohen interesat e taksapaguesve evropianë.
Evropa financon zhvillimin e një sërë programesh në sektorin digjital në vendin tonë, por tashmë financimi do ndërpritet për shkak të korrupsionit dhe vjedhjes së fondeve.
Një nga programet e finalizuara në verën e vitit që lamë pas ishte dhe ai i “Ekonomisë dhe shoqërisë dixhitale”, me një buxhet prej 44 milion eurosh, prej të cilave 30 milion garantohen nga BE. Në fakt këto fondet tashmë janë të ngrira dhe nuk mund të përdoren.
Një tjetër instrument përmes të cilit financohet sektori dixhital është Kuadri i Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Përmes këtij kuadri, Bashkimi Europian financon programin e pajisjes së 600 shkollave të vendit me laboratorët smart. Ky projekt ka një kosto prej 44.3 milionë eurosh, nga të cilat 14 milionë financohet me grand nga BE.
Ndërkohë që financimet për axhendën dixhitale janë pjesë edhe të ashtuquajtur Plani i Rritjes, ku BE ka angazhuar të financojë 6 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Lidhur me të gjitha këto projekte është ende e paqartë se sa është shuma totale që BE ka vendosur të pezullojë për vendin tonë.
Vlen të theksohet se ky është rasti i dytë që projekte të BE-së ngrinë ose pezullohen, dhe e gjitha lidhet me korrupsionin galopant që ka përfshirë qeverinë që drejton vendin. Me sa duhet zyrtarët qeveritarë janë kokëfortë në vazhdimin e vjedhjeve pa marrë parasysh se nga vijnë fondet, ndërsa nga ana tjetër, BE po bën manovra për të shpëtuar xhepat e taksapaguesve të saj.











