Muzeu i Luvrit në Paris është rihapur plotësisht këtë të premte, pasi stafi ka vendosur të pezullojë përkohësisht grevën që kishte ndërprerë aksesin e vizitorëve në muzeun më të vizituar në botë.
Vendimi u mor gjatë një asambleje të përgjithshme të punonjësve, ku u votua unanimisht pezullimi i grevës, me qëllim rikthimin e aktivitetit normal dhe pritjen e vizitorëve. Greva kishte sjellë mbylljen e plotë të muzeut në fillim të javës, ndërsa të mërkurën ai ishte rihapur vetëm pjesërisht.
Sindikatat bëjnë me dije se vendimi erdhi pas pesë takimeve me përfaqësues të Ministrisë franceze të Kulturës, por theksojnë se përparimi i arritur mbetet i pamjaftueshëm. Sipas tyre, shqetësimet kryesore lidhen me mungesën e stafit, nivelin e pagave, sigurinë afatgjatë, si dhe me degradimin e ndërtesës dhe kushtet e punës.
Përfaqësuesit sindikalë kanë kritikuar edhe drejtuesen e Luvrit, Laurence des Cars, duke e akuzuar për mungesë angazhimi gjatë grevës, pasi sipas tyre ajo nuk është takuar me stafin dhe nuk ka komunikuar drejtpërdrejt me punonjësit gjatë protestës.










