Kreu i SPAK, Klodjan Braho, paralajmëron se lufta ndaj krimit të organizuar do të vijojë pa kompromis, duke theksuar se do të goditet çdo grup kriminal dhe çdo zyrtar që bashkëpunon me ta…
Pas operacionit të gjerë të zhvilluar në Vlorë kundër një rrjeti të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të drogës, kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Klodjan Braho, ka përcjellë një mesazh të fortë ndaj grupeve kriminale dhe çdo zyrtari që bashkëpunon me ta.
SPAK ka shpërndarë një mesazh të Brahos, në të cilin thuhet: “Në do të vijojmë të godasim me forcën e ligjit krimin e organizuar, si dhe çdo funksionar publik që bashkëpunon apo lehtëson veprimtarinë e krimit të organizuar”.
Mesazhi vjen menjëherë pas operacionit të zhvilluar në orët e para të mëngjesit në Vlorë, ku forcat RENEA, FNSH dhe Byroja Kombëtare e Hetimit zbatuan disa masa sigurie të lëshuara nga SPAK.
SPAK goditi sot grupin kriminal të Inez Hajrullës në Vlorë, por vetë i shumëkërkuri nuk u kap.
Mes të arrestuarve është edhe Rezart Kuçi, punonjës policie dhe aktualisht shef seksioni në Policinë Shkencore në Kukës. Ai akuzohet për trafik droge, shpërdorim detyre dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Në kuadër të të njëjtit hetim është arrestuar në Zvicër edhe ish-polici Hamëz Demushi, ndërsa ndaj Flodian Plakut, i njohur si “Pole Qorri”, është komunikuar një tjetër masë sigurie në burg, pasi ai ndodhet i arrestuar për një tjetër vrasje në Vlorë.
Sipas SPAK, hetimet lidhen edhe me dy atentate mafioze të ndodhura në Vlorë në vitin 2021, ku u vranë Gentjan Qarri dhe Bledar Birçaj.
Hetuesit e posaçëm besojnë se pas të dyjave vrasjeve, fshihet grupi i Inez Hajrullës, një personazhi të njohur për autoritetet në Vlorë, që deri më tani i ka shpëtuar 3 atentateve. I njohur si i forti i Vlorës, Hajrulla i shpëtoi këtë të shtunë edhe policisë, kur dhjetëra forca, RENEA, FNSH dhe BKH, zbarkuan me urdhër të SPAK në 4 të mëngjesit në qytetin bregdetar për ta arrestuar, por rezultuan pa sukses në 6 orë aksion e kontrolle.











