Një video nga kamerat e sigurisë ka shkaktuar reagime të forta në Belgjikë, pasi tregon momentin kur një i ri rrihet brutalisht jashtë një stacioni treni, pasi tentoi të mbrojë një vajzë që po ngacmohej nga një grup personash.
Ngjarja ka ndodhur në qytetin Vilvoorde. Në pamje shihet i riu duke biseduar me një grup të rinjsh që më herët kishin ngacmuar një vajzë. Papritur, një prej tyre e godet me grusht në fytyrë.
Viktima përpiqet të reagojë, por një tjetër person e ngre në ajër dhe e përplas me forcë në trotuar. Edhe pse pas kësaj goditjeje ai duket i pafuqishëm për t’u mbrojtur, grupi vazhdon ta godasë.
Pas sulmit, i riu u dërgua në spital. Fatmirësisht, gjendja e tij shëndetësore nuk konsiderohet kërcënuese për jetën.
Ndërkohë, të hënën, Prokuroria e Brukselit njoftoi arrestimin e një personi të dyshuar për përfshirje në këtë sulm brutal.











