Torino u përfshi nga skena të rënda dhune, që shënojnë një nga episodet më të ashpra të muajve të fundit në Itali.
Një video e shpërndarë në rrjetet sociale nga ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, dhe ish-senatori i PD-së, Stefano Esposito, tregon momentin kur një grup manifestuesish rrethojnë dhe sulmojnë brutalisht një polic, dhjetë kundër një, duke përdorur edhe çekiç.
Ngjarja ka ndodhur në Corso Regina Margherita, pranë hyrjes së kampusit universitar Luigi Einaudi dhe ish-selisë së qendrës sociale Askatasuna. Pikërisht në këtë zonë, për rreth një orë, nga ora 18:30 deri në 19:30, u zhvillua ajo që autoritetet e përshkruajnë si guerrilje urbane e mirëfilltë.
Sipas rindërtimit të ngjarjeve, një grup i madh manifestuesish nxori papritur mburoja artizanale, duke nisur përplasjen e drejtpërdrejtë me forcat e rendit. Situata u përshkallëzua me shpejtësi: kazanë mbeturinash të djegur, gurë, fishekzjarrë dhe bomba tymuese, duke e kthyer rrugën në një fushë beteje.
Në këtë kaos ndodhi edhe agresioni ndaj efektivit të policisë, i cili u godit dhe u mbajt i rrethuar deri në momentin kur ndërhyri një koleg, duke ndërprerë sulmin. Pamjet e publikuara dokumentojnë një nga fazat më të dhunshme të trazirave që tronditën zonën.
Kryeministrja Giorgia Meloni e dënoi ashpër dhunën, duke theksuar se shteti nuk do të tërhiqet përballë grupeve ekstremiste.
“Çfarë ndodhi sot në Torino është e rëndë dhe e papranueshme. Këto nuk janë as mospajtim, as protestë: janë agresione të dhunshme me synim goditjen e shtetit dhe atyre që e përfaqësojnë. Dhe për këtë arsye duhet të trajtohen për atë që janë, pa zbritje dhe pa justifikime”, deklaroi Meloni. Ajo shtoi se qeveria ka forcuar instrumentet kundër pandëshkueshmërisë dhe kërkoi që edhe drejtësia të veprojë pa tolerancë, për të shmangur përsëritjen e rasteve të mëparshme të “butësisë” ndaj dhunës.
Dhuna nuk u ndal vetëm ndaj policisë. Një ekip i televizionit publik Rai u sulmua gjatë protestës. Korporata Rai dënoi me forcë agresionin ndaj gazetares Bianca Leonardi dhe operatorit të saj, pjesë e emisionit “Far Ëest”. Sipas deklaratës zyrtare, ata u goditën fizikisht, u kërcënuan dhe u detyruan të largoheshin me forcë, ndërsa ndaj tyre u hodhën gurë dhe u shkatërrua pajisja e punës.
Ngjarjet në Torino po shihen si një sinjal alarmi për radikalizimin e protestave dhe për përplasjen gjithnjë e më të ashpër mes qeverisë Meloni dhe lëvizjeve antagoniste të majta, në një Itali ku kufiri mes protestës dhe dhunës po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm.









