Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e parlamentit dhe dërgimin e vendit drejt zgjedhjeve të parakohshme për shkak të moszgjedhjes së kreut të ri të shtetit brenda afateve kushtetuese që ishte më 5 mars.
Kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci tha se shpërndarja e parlamentit nga ana e presidentes Osmani ishte një akt i paprecedentë. Sipas saj, LVV-ja ka ofruar alternativat për shmangien e zgjedhjeve të parakohshme.
“Duhet ta themi një gjë, ne kemi qenë të vetëdijshëm se ka shumë palë dhe grupe interesi, të cilave u ka penguar mbështetja e madhe qytetare për LVV-në dhe për kryeministrin Kurti. Gjithsesi, ne kemi bërë gjithçka që ka qenë në dorën tonë për të shmangur edhe një palë zgjedhje”, tha Nagavci.











