Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur të shtunën zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe ato të NATO-s, David Baker, për një takim në Presidencë. Kjo është vizita e parë e Bakerit në Kosovë. E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, ka thënë në pritje të Bakerit në Kosovë, më 1 gusht, se zyrtari amerikan do të takohet me zyrtarë të lartë të Kosovës për të diskutuar bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes, si dhe përpjekjet e përbashkëta për të promovuar sigurinë rajonale.
Baker është takuar të shtunën edhe me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Enrico Barduani. Ata kanë biseduar për situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe për mundësinë më të mirë të mbështetjes së angazhimit politik në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Baker e ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur amerikane për misionin e KFOR-it në Kosovë” është thënë në komunikatën e KFOR-it në Facebook.
Më vonë gjatë ditës, Baker pritet të takohet edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin dhe ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Presidentja Osmani ka thënë gjatë një vizite të realizuar javë më parë në Uashington se Kosova është duke analizuar mënyra për prodhim të armëve dhe beson që mund të ketë bashkëpunim me SHBA-në në këtë drejtim.
“Besojmë se Kosova ka kapacitet të jashtëzakonshëm për prodhim të armëve, përkrah SHBA-së dhe kompanive të ndryshme amerikane që mund të jenë të interesuara në këtë drejtim, në këtë periudhë kur na duhet të prodhojmë më shumë për shkak të nevojave tona të brendshme, por edhe për shkak të asaj që i nevojitet Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe aleancës së NATO-s – ku Kosova synon të anëtarësohet”.
Kosova, me 1.5 milion banorë e ka Forcën e saj të Sigurisë, e cila është në proces të shndërrimit në ushtri të rregullt dhe pritet t’i ketë mbi 7.500 pjesëtarë aktivë dhe rezervistë, si dhe policinë me rreth 9.000 pjesëtarë.
Ndër vite, Shtetet e Bashkuara i kanë ndihmuar Kosovës në sektorin e mbrojtjes, qoftë përmes dhurimit të armëve apo miratimit të kërkesave për blerje të tyre. Në janar të vitit të kaluar, SHBA-ja pati miratuar kërkesën e Kosovës për blerjen e sistemit raketor kundërtank Javelin.Pas transformimit të FSK-së në ushtri, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar një kontratë me kompaninë amerikane, AM General për pajisjen e FSK-së me 51 automjete të tipit Humvee. Ndër vite, Qeveria ka blerë edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja.
Më herët gjatë vitit, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Departamenti amerikan i Mbrojtjes e kanë nënshkruar edhe Marrëveshjen për Ndërveprueshmëri dhe Siguri në Komunikim, e njohur si CISMOA. Shtetet e Bashkuara kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998. Udhëheqës shtetërorë kosovarë e përsërisin shpesh që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike./REL