Në përfundim të mandatit të saj pesëvjeçar si Presidente e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka publikuar një mesazh video në rrjetet sociale, ku falenderon qytetarët, stafin dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen.
Në mesazhin e saj, Osmani theksoi rëndësinë e besimit të qytetarëve dhe përgjegjësinë për të mbrojtur vlerat demokratike.
“Nuk ka nder më të madh se t’i shërbesh Republikës. Nuk ka përgjegjësi më të madhe, por edhe më fisnike, sesa të mbash mbi supe besimin e qytetarëve të tu. Besimi juaj është forca jonë dhe unë e kam kthyer atë besim në besnikëri ndaj Republikës së Kosovës, sovranitetit dhe pavarësisë së saj”, tha Osmani.
Ajo përmendi gjithashtu sfidat dhe arritjet e mandatit të saj.
“Gjatë këtyre pesë viteve, kemi arritur njohje të reja për Kosovën, liberalizim vizash me BE-në dhe avancim të pozitës së vendit në marrëdhënie ndërkombëtare. Kosova ka treguar se edhe një shtet i vogël mund të ketë zë të madh në botë”, tha ajo.
Osmani gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me qytetarët, stafin dhe partnerët ndërkombëtarë për të përmirësuar pozicionin e Kosovës në botë dhe për të garantuar stabilitetin, paqen dhe të drejtat demokratike:
“Kam nderin të kem shërbyer pranë qytetarëve të Republikës, duke njohur dhe vlerësuar sakrificën e martirëve, dëshmorëve dhe të mbijetuarve të luftës së Kosovës. Liria dhe Republika jonë mbeten mbi sakrificën e tyre dhe çdo vendim që kam marrë ka qenë gjithmonë i orientuar drejt interesit të shtetit dhe qytetarëve”, u shpreh ajo.
Një moment i veçantë i fjalës së Osmanit ishte kur ajo përforcoi qëndrimin e paprekshmërisë së Kosovës.
“Dhe nëse ka një gjë që kam mësuar nga ju, është kjo, Kosova nuk është e fortë vetëm kur fiton, por është e pathyeshme sepse nuk dorëzohet kurrë. Ky vend nuk dorëzohet dhe sovraniteti i tij nuk vihet kurrë në diskutim”, tha Osmani.
Ajo mori pjesë edhe në ceremoninë zyrtare të dorëzimit të detyrës, ku ia ka kaluar kompetencat Albulena Haxhiut, Kryetares së Kuvendit, e cila ushtron funksionin e presidentit derisa të zgjidhet kreu i ri i shtetit.
Ceremonia u zhvillua në ambientet e Presidencës, ku Osmani, bashkë me ekipin e saj të ngushtë, u përshëndet me stafin e Presidencës, me të cilët ka punuar gjatë mandatit të saj. Pamjet e publikuara tregojnë emocionet e momentit, me Osmani që shfaqej me sytë e përlotur gjatë përshëndetjes së fundit dhe u largua me veturën historike që ka përdorur dikur Presidenti Ibrahim Rugova.
Gjatë fjalës së saj në ceremoninë e dorëzimit-pranimit, Osmani iu drejtua Haxhiut dhe stafit me mesazhe mirënjohjeje.
“Ju dëshiroj shumë suksese gjatë kohës që do të ushtroni detyrën si kryesuese e përkohshme e presidentit. Të jesh kreu i shtetit dhe të udhëheqësh politikën e jashtme, ushtrinë dhe përfaqësimin e unitetit të popullit është përgjegjësi e jashtëzakonshme, e cila kërkon vigjilencë, integritet dhe përkushtim të pandërprerë”, tha Osmani.
Pas ceremonisë, Osmani është përshëndetur dhe përcjellë nga stafi deri tek vetura, duke përmbyllur kështu një mandat pesëvjeçar të pasur me sfida, përkushtim dhe rezultat.











