Një operacion shpëtimi është duke u zhvilluar në malin Eiger, në Alpet Zvicerane, pasi disa persona janë zënë nga një ortek dëbore, ka bërë të ditur policia lokale.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur gjatë mesditës së sotme, dhe autoritetet kanë reaguar menjëherë duke nisur një operacion të gjerë kërkimi e shpëtimi. Në vendngjarje janë angazhuar disa ekipe speciale, të cilat po punojnë intensivisht për të lokalizuar dhe shpëtuar personat e bllokuar nën masën e dëborës.
Mali Eiger, i cili ngrihet në një lartësi prej 3 967 metrash, ndodhet pranë resorteve të njohura turistike si Grindelwald, Lauterbrunnen dhe Wengen, destinacione të preferuara për alpinistët dhe sportet dimërore.
Deri tani, autoritetet nuk kanë dhënë informacion të saktë mbi numrin e personave të prekur nga orteku.