Organizata ndërkombëtare ActionAid ka depozituar një kallëzim pranë Gjykatës së Auditit, duke denoncuar qeverinë italiane dhe kryeministren Giorgia Meloni për dyshime për shpërdorim të fondeve publike në kuadër të “Operacioni Shqipëria”, i cili përfshinte ndërtimin e hotspotit në Shëngjin dhe kampit të refugjatëve në Gjadër.
Sipas dokumenteve të paraqitura, Prokuroria Rajonale e Lazios duhet të vlerësojë nëse do të nisë procedim për dëm ekonomik bazuar në shkeljet e pretenduara.
Paralelisht, pranë Autoritetit Kombëtar Antikorrupsion (ANAC) janë raportuar dyshime për parregullsi në dhënien e kontratës prej 133 milionë eurosh për menaxhimin e qendrave të pritjes. Sipas ActionAid, nuk është kryer verifikimi i rëndësisë ndërkombëtare të kontratës, një procedurë që do të kërkonte transparencë dhe konkurrencë të hapur.
Hetimet gazetareske të Giorgio Mottola-s në emisionin ‘Report’ në Rai3, përmes dokumentarëve “(Hot)Spot Albanese” dhe “Fushata e Shqipërisë”, zbuluan se vlerësimi fillestar i paraqitur para parlamentit italian parashikonte 39 milionë euro për ndërtimin e hotspot-it në Shëngjin dhe qendrës në Gjadër.










