Një raport i ri i Organizates Botërore Meteorologjike, tregon se ka një mundësi 80% që temperaturat globale të thyejnë të paktën një rekord vjetor të nxehtësisë gjatë pesë viteve të ardhshme.
Ky zhvillim shoqërohet me një rrezik të shtuar për ngjarje ekstreme të klimës, si thatësira, përmbytje dhe zjarre në pyje, që mund të kenë pasoja të rënda për shëndetin e njeriut, ekonominë dhe mjedisin.
Për herë të parë, raporti tregon gjithashtu një mundësi të vogël që deri në vitin 2030, bota të përjetojë një vit që është 2 gradë celsius më i nxehtë se periudha paraindustriale, një mundësi që shkencëtarët e cilësojnë si “tronditëse”.
Përditësimi i fundit nga OBM tregon gjithashtu një shans prej 70% që ngrohja mesatare pesëvjeçare për vitet 2025-2029 të kalojë më shumë se 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale. Nëse kjo ndodh, pasojat mund të jenë të mëdha dhe do të ndodhin ndryshime drastike në klimë dhe ekosistemet natyrore.