Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, ka mbërritur në Washington në krye të një delegacioni prej 180 personash, për një vizitë që synon të forcojë marrëdhëniet me Presidentin Donald Trump, por që gjithashtu vjen në një klimë të ngarkuar tensioni politik dhe ekonomik.
Orbán udhëtoi drejt SHBA-së me një avion të marrë me qira nga kompania Wizz Air, duke e cilësuar marrëdhënien mes dy vendeve si një “epokë të artë” në bashkëpunim.
Delegacioni hungarez po qëndron në Blair House, rezidenca zyrtare për mysafirët shtetërorë të Shtëpisë së Bardhë.
Para vizitës, Ministri i Jashtëm Péter Szijjártó njoftoi se Hungaria dhe SHBA po punojnë për një paketë të re bashkëpunimi ekonomik dhe energjetik, që synon të forcojë sigurinë energjetike afatgjatë të vendit.
Një ndër temat kryesore të takimit pritet të jetë lufta në Ukrainë, çështje në të cilën qëndrimet e Budapestit dhe Uashingtonit shpesh kanë qenë të kundërta.
Fillimisht, Orbán kishte propozuar që në Budapest të zhvillohej një samit paqeje mes Trumpit dhe Vladimir Putinit, por takimi u anulua nga pala amerikane, me arsyetimin se Moska nuk ishte e gatshme për bisedime serioze paqeje.
Në vend të kësaj, SHBA shpalli sanksione të reja ndaj kompanive energjetike ruse, duke e shtuar presionin edhe mbi vendet që vazhdojnë të importojnë naftë nga Rusia.
Tensionet mes dy vendeve janë shtuar edhe për shkak të refuzimit të Hungarisë për të ulur importet e naftës ruse, të cilat Budapesti i konsideron thelbësore për sigurinë kombëtare.
Orbán ka kërkuar një përjashtim nga sanksionet, por Trump ende nuk ka dhënë një përgjigje pozitive.
Për të ulur tensionet, qeveria hungareze po shqyrton mundësinë e marrëveshjeve të reja tregtare dhe ushtarake me SHBA-në, përfshirë rritjen e importeve të gazit të lëngshëm amerikan dhe blerjen e reaktorëve bërthamorë të vegjël për përdorim civil.
Në tryezë është edhe një marrëveshje mbrojtëse, që synon të rrisë kapacitetet e ushtrisë hungareze në bashkëpunim me Pentagonin.
Gjatë takimit, Orbán dhe Trump do të diskutojnë gjithashtu për çështjen e Ukrainës dhe mundësinë e organizimit të një samiti paqeje në Budapest.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara mund të ushtrojnë presion diplomatik ndaj Hungarisë për ta hequr veton ndaj anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian.
Në një zhvillim paralel, ndërsa delegacioni hungarez udhëtonte drejt SHBA-së, u bë e ditur se financimi për shërbimin hungarez të Radio Evropës së Lirë do të ndërpritej, duke rrezikuar mbylljen e një prej pak mediave të pavarura në Hungari.
Ky vendim ka ngjallur shqetësime në qarqet ndërkombëtare për gjendjen e lirisë së shtypit dhe demokracinë në Hungari, pikërisht në një moment kur Orbán kërkon të përmirësojë imazhin e tij në arenën globale.











