Gjatë seancës së sotme plenare, deputetja socialiste Olta Xhaçka iu përgjigj akuzave të opozitës, duke mbrojtur punën e Partisë Socialeiste (PS) dhe rezultatet e qeverisjes. Ajo theksoi se qytetarët janë ata që e vlerësojnë realitetin dhe punën e bërë nga ekipi qeveritar. Xhaçka pranoi se asnjë qeveri nuk është pa gabime, por argumentoi se Shqipëria ka arritur një rritje ekonomike më të lartë se ajo e vendeve të tjera në rajon. Ajo nxorri në pah rritjen e pagave dhe pensioneve, duke theksuar që këto nuk janë thjesht premtime, por realizime konkrete.
Deputetja foli për arritjet në sektorin e turizmit, hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe avancimet në infrastrukturë, energji dhe politika të jashtme. Sipas saj, këto janë fushat që Evropa i konsideron histori suksesi për Shqipërinë. Ajo kritikoi opozitën për fjalët e saj lidhur me korrupsionin, duke theksuar se ajo është e para që sulmon SPAK-in kur ky i fundit merret me njerëzit e saj.
Më tej, Xhaçka akuzoi opozitën për mungesë ideje dhe propozimesh për të përmirësuar situatën, duke e krahasuar aktivitetin e mazhorancës me atë të opozitës, e cila sipas saj, prodhon akuza dhe zhurmë, por pa ofruar zgjidhje konkrete. “Në fund të ditës, qytetarët e shohin dallimin,” tha ajo, duke përfunduar se mazhoranca është e angazhuar për të sjellë investime dhe për të hapur dyer për Shqipërinë në Evropë.
Xhaçka theksoi se puna dhe përkushtimi i mazhorancës janë ato që do ta çojnë vendin përpara, përkundër kundërshtimeve dhe kritikave të opozitës. Ajo mbylli fjalimin e saj me një thirrje për të vazhduar me reformat dhe përparimin që ka bërë qeveria deri tani.











