Obeziteti dhe apnea e gjumit përbëjnë një lidhje të rrezikshme që, sipas ekspertëve, shpesh është si shkak ashtu edhe pasojë e njëra-tjetrës.
Studimet tregojnë se rreth 80% e personave obezë vuajnë nga apnea e gjumit, një çrregullim serioz që mund të çojë në komplikacione të rënda shëndetësore nëse nuk trajtohet.
Gërhitja, një shenjë paralajmëruese
Gërhitja konsiderohet një nga treguesit kryesorë të apnesë së gjumit. Ndërsa jo çdo person që gërhit ka apnea, rreth 90% e atyre që vuajnë nga ky çrregullim kanë probleme të rënda gërhitjeje.
Tek të gjithë personat me mbipeshë ose obezitet, gërhitja duhet të merret seriozisht si një shenjë paralajmëruese.
Apnea e gjumit – një rrezik i heshtur
Apnea e gjumit shkakton ndërprerje të përsëritura të frymëmarrjes gjatë natës, duke ulur ndjeshëm nivelin e oksigjenit në gjak. Për pasojë, personi zgjohet vazhdimisht pa arritur kurrë në gjumë të thellë.
Kjo çon në lodhje kronike, mungesë përqendrimi, ulje të humorit dhe dëshirë të shtuar për ushqime të pasura me karbohidrate — një faktor që nxit më tej shtimin në peshë.
Një cikël që ushqen vetveten
Obeziteti rrit rrezikun për apnea të gjumit, ndërsa apnea përshpejton shtimin në peshë. Kjo krijon një “rreth vicioz” ku të dy problemet forcojnë njëri-tjetrin. Në shumë raste, apnea e gjumit lidhet edhe me komplikacione serioze si:
hipertension,
diabet,
çrregullime të ritmit të zemrës,
sindromë metabolike,
rrezik i shtuar për infarkt, goditje në tru dhe sëmundje pulmonare.
Statistikat tregojnë se rreth 90% e vdekjeve që ndodhin gjatë gjumit lidhen me apnenë.
Problemi prek edhe fëmijët
Apnea e gjumit nuk është vetëm sëmundje e të rriturve. Tek fëmijët, obeziteti, alergjitë dhe problemet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes janë faktorë që mund të shkaktojnë apnea, duke penguar zhvillimin e trurit, mushkërive dhe zemrës.
Zbulimi dhe trajtimi
Apnea e gjumit mund të diagnostikohet lehtë përmes një testi të quajtur polisomnografi, i cili realizohet ose në spital gjatë një nate, ose në shtëpinë e pacientit me pajisje të posaçme.
Në rastet kur konfirmohet apnea, trajtimi bëhet me pajisje që mbajnë rrugët e frymëmarrjes të hapura gjatë gjumit, duke përmirësuar menjëherë cilësinë e gjumit dhe duke ulur rreziqet shëndetësore.
Falë teknologjisë moderne, këto pajisje janë bërë shumë më të vogla, të qeta dhe të lehta, madje të përshtatshme për t’u marrë edhe me vete në udhëtime.










