Banorë të lagjes numër 7 dhe 8, që preken nga shpronësimet që do të bëhen në kuadër të projektit infrastrukturor “Lidhja e Currilave” me rrugën “Aleksandër Goga”, kanë protestuar sot para bashkisë së Durrësit.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak në orën 12:00, një nga pikat e rendit të ditës lidhet me shpronësimet e shtëpive të këtyre banorëve, të cilat do të shemben për t’i hapur rrugë ndërtimit të unazës.
Banorët janë përplasur para nisjes së mbledhjes me zyrtarët dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak duke mos kursyer as ofendimet, ndërsa i kanë kërkuar llogari për vendimin e tyre për shpronësimin e pronave.
“O bthë qrë, o krvë e mtit. O lëngaraq, nuk do dalësh më ti? O të qfsha ropt, të qfsha motrën”, i është drejtuar një prej protestuesve zyrtarit të bashkisë.
Po ashtu, ata janë përplasur me zyrtarët e tjerë edhe në hyrje të Bashkisë, ku janë përballur edhe me bllokadën e policisë bashkiake.
“Ti ke firmosur për ne, mos guxo të futesh në mbledhje. Ikni nga mbledhja. Turip, turp. Mos e lini legenin, ne po na prishin shtëpinë”, i tha një qytetar anëtarit të Këshillit teksa hynte në mbledhje.
Nga sheshi para bashkisë ata i kanë bërë thirrje kryebashkiakes Emiriana Sako t’u hap derën për të marrë pjesë në mbledhje, ndërsa e kanë cilësuar edhe hajdute. “Emiriana Sako hap derën, o hajdute”, dëgjohen të thonë banorët.
Banorët deklarojnë në prononcimin e tyre për mediat, se nuk janë vënë në dijeni më përpara lidhur me prishjen e shtëpive dhe kundërshtojnë vlerën e shpronësimit, sepse sipas tyre është e pamundur që me këtë vlerë të blejnë një shtëpi.
Banorët kërkojnë nga bashkia që t’u sigurojë më përpara një shtëpi. Sipas bashkisë, është miratuar në parim vlera financiare e shpronësimit prej 867.776.164 lekë, për pasuritë pronë private, që preken nga ky investim publik.
Janë evidentuar 131 pronarë (privatë dhe shtet) për të cilët është caktuar vlera e shpronësimit.








