Një deklaratë e ish-zëvendëspresidentes së SHBA, Kamala Harris, ka rikthyer në qendër të vëmendjes debatin për sigurinë e kufjeve pa tela. Gjatë një interviste në emisionin “The Late Show” me Stephen Colbert, Harris komentoi një fotografi të saj me kufje me tela – një zgjedhje që më parë ishte bërë objekt talljeje në internet, pasi shumë e konsiderojnë teknologjinë me tela si të vjetruar.
Por Harris shpjegoi se arsyeja pas kësaj zgjedhjeje lidhet me çështje sigurie. “Kam qenë pjesë e Komitetit të Senatit për Inteligjencë dhe kam marrë pjesë në takime të klasifikuara. Nuk duhet të mendoni se jeni të sigurt kur përdorni kufje pa tela në vende publike. Kufjet me tela janë pak më të sigurta,” tha ajo.
Deklarata e saj ka nxitur shqetësime mes përdoruesve të teknologjisë, të cilët tani po rishikojnë përdorimin e kufjeve moderne si AirPods. Videoja me shpjegimin e Harris është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe ka hapur një debat të ri mbi privatësinë dhe sigurinë digjitale.
Për informacion, kufjet që përdor Kamala Harris janë Apple EarPods – modeli klasik me tela.