Një tjetër grup emigrantësh është nisur nga Brindizi drejt Shqipërisë. Anija e Marinës Italiane “Spica” u largua mëngjesin e sotëm rreth orës 09:00 nga Seno di Levante, me dhjetëra emigrantë të kombësive të ndryshme në bord, me destinacion qendrën e pritjes në Gjadër, ndërtuar nga qeveria italiane.
Ky është transferimi i dytë i këtij lloji, pas atij të datës 11 prill, kur anija tjetër e Marinës Italiane, “Libra”, mbërriti në portin e Shëngjinit. Ndërkohë, ditët e fundit, Senati italian ka miratuar përfundimisht një ligj të ri që përmban masa të posaçme për të frenuar imigracionin e paligjshëm. Ligji zgjeron kategorinë e personave që mund të transferohen në Shqipëri.
Marrëveshja për bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Italisë në lidhje me trajtimin e emigrantëve u firmos në nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dy parlamentet. Në Shqipëri, ajo mori edhe miratimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas marrëveshjes, kapaciteti maksimal i qendrës së pritjes nuk do të kalojë 3 mijë emigrantë në muaj. Pas përfundimit të procedurave të verifikimit, autoritetet italiane do të organizojnë kthimin e refugjatëve në vendet e tyre, duke mbuluar të gjitha shpenzimet.