Një biografi e re e Princit Andrew hedh dritë mbi skandalet që kanë tronditur familjen mbretërore për vite me radhë, duke u përqendruar tek dy temat që nuk kanë pushuar kurrë së shkaktuar telashe: paratë dhe skandalet seksuale.
Libri “Ngritja dhe rënia e shtëpisë së Jorkut” nga Andrew Lownie është një portret i pamëshirshëm i princit, i cili përshkruhet si arrogant, egoist dhe në mohim të lidhjeve të tij me abuzuesin seksual Jeffrey Epstein. Ky studim me më shumë se 450 faqe, i bazuar në katër vite kërkime dhe qindra intervista, ofron detaje të reja e të papritura për një histori tashmë të njohur.
Nga mbrëmjet e beqarisë me yje si Billy Connolly, Sir Elton John dhe regjisori Woody Allen, që po ashtu është lidhur me Epstein, tek rutina e çuditshme e dietës së tij dhe beteja personale me aftësitë akademike, libri sjell anekdota dhe portrete që zbulojnë më shumë sesa kaq.
Princi Andrew, i njohur ndryshe si “Baby Grumpling”, paraqitet si një figurë problematike, me sjellje të vrazhda ndaj stafit, gafat diplomatike dhe shoqëritë e gabuara, që variojnë nga kontrabandistë armësh deri te spiunë. Sipas burimeve, ai ka pasur vështirësi në lidhjet personale dhe është përfshirë në marrëdhënie të komplikuara që kanë rënë në sy për natyrën e tyre të dyshimtë.
Një nga pjesët më të forta të librit janë detajet mbi lidhjet e hershme me Jeffrey Epstein, që datojnë që nga fillimi i viteve 1990, dhe natyra e pabalancuar e marrëdhënies së tyre, e cila sipas librit përfshinte edhe një formë operacioni shantazhi. Fotografia e famshme e Virginias Giuffre me Princin Andrew dhe Ghislaine Maxwell është një nga dëshmitë kyçe që ngre pyetje të mëdha, ndërsa burimet hedhën dyshime mbi vdekjen e Epstein dhe mungesën e transparencës në hetimet e tij.
Pas intervistës së tij katastrofike në BBC Newsnight dhe çështjes ligjore me Virginia Giuffre, princ Andrew është tërhequr nga jeta publike dhe nuk konsiderohet më një “mbretëror aktiv”. Historiani Ed Owens thekson se, edhe pse kanë kaluar pothuajse gjashtë vjet, ai ende shfaqet në lajme për arsyet e gabuara, duke i shkaktuar dëme reputacionit të familjes mbretërore, të cilën Mbreti Charles dhe Princi William po përpiqen ta mbrojnë.
Në krah të tij mbetet Sarah Ferguson, ish-gruaja e tij, e cila e përshkruan marrëdhënien e tyre si “të divorcuar nga njëra-tjetra, por jo nga jeta”, duke jetuar ende bashkë në Royal Lodge. Libri zbulon ciklin e pafund të shpenzimeve, borxheve dhe marrëveshjeve të komplikuara financiare në të cilat ajo është përfshirë, por edhe aftësinë e saj për t’u rikthyer dhe për të ruajtur një imazh të pëlqyeshëm në publik. Ferguson përshkruhet si “e shkëlqyer, e freskët dhe elegante” në punën e saj si ambasadore për Waterford Wedgwood.
Komentatori mbretëror Richard Palmer vlerëson se ky libër ngre pyetje serioze dhe i rikthen Andrew në qendër të skandalit Epstein në një kohë kur edhe Donald Trump po përballet me akuza për lidhjet me abuzuesin seksual.
“Është një skandal që nuk do të largohet lehtë nga familja mbretërore, edhe pse ata përpiqen të distancohen nga Andrew”, shprehet Palmer.
Ngritja dhe Rënia e Shtëpisë së Jorkut” nga Andrew Lownie, botuar nga William Collins, do të jetë në libraritë tona nga data 14 gusht.