Pasditja e kësaj të diele ka rikthyer reshjet e dëborës në disa zona të vendit tonë!
Sipas raportimeve, reshjet e dëborës janë rikthyer në zonat malore të qarkut Shkodër.
Akset rrugore Bogë – Theth, Tamarë – Vermosh, si dhe disa segmente në Pukë kanë prezencë dëbore.
Në qarkun Dibër reshjet kanë zbritur deri në 600 metra mbi nivelin e detit, ku kanë nisur të shfaqen edhe problematika. Aksi rrugor në të cilin kërkohet që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes është ai i rrugës së Arbrit.
Më problematike situata paraqitet në Bulqizë dhe Maqellarë ku ka prani të dëborës në asfalt.
Mesditën e kësaj të diele, qytetet dhe fshatrat e Qarkut të Elbasanit u përfshinë nga moti i keq i shoqëruar me reshje të dendura shiu.
Pjesë të shumta të rajonit të Elbasan duke përfshirë të gjitha qytetet dhe fshatrat përjetuan një përkeqësim të kushteve atmosferike që solli vështirësi në lëvizjen e qytetarëve në aktivitetet e tyre përditshme sidomos nga ora 14:00-17:00 kur intensiteti i reshje ishte mjaft i dendur.
Në zonat e thella malore të bashkive Librazhd, Prrenjas, Gramsh por edhe Elbasan kanë filluar reshjet e dëborës por me trashësi të papërfillshme për momentin.
Dëborë ka pasur dhe në mbarë qarkun e Korçës, përfshirë Pogradecin, Devollin, Ersekën e Maliqin.
Temperaturat kanë pësuar një ulje të ndjeshme duke shtuar vështirësitë për ata që jetojnë në këto zona dhe duke krijuar një situatë të vështirë për lëvizjen normale në zonat rurale dhe duke u bërë pengesë në realizimin e aktiviteteve në natyrë.