Operacioni i SPAK ndaj kupolës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe një grupi biznesmenësh të lidhur me tenderët publikë konsiderohet një nga hetimet më të guximshëm të viteve të fundit, për shkak të përmasës së dyshuar të abuzimeve financiare dhe mbështetjes politike dhe të “nëntokës” që dyshohet se kishte struktura e goditur.
Hetimet flasin për një skemë të ndërtuar mbi ndarjen e tenderëve mes dy ose tre kompanive, të cilat sipas SPAK kishin krijuar një perandori ekonomike përmes fondeve publike të AKSHI-t, nën dirigjimin teknik të Mirlinda Karçanajt.
Bëhet fjalë për qindra miliona euro që dyshohet se janë përvetësuar nga taksat e shqiptarëve, ndërsa vetëm tre-katër kompani të përfshira në hetim kanë përfituar rreth 145 milionë euro tenderë gjatë viteve të fundit.
Përtej dimensionit financiar, SPAK ka bërë të ditur se në përplasjen e interesave për tenderët e AKSHI-t ka ndodhur edhe një episod i rëndë kriminal, i cilësuar si pengmarrje, ku përmendet emri i Gerond Meçes nga kompania Advanced Business Solutions, e cila nga ana tjetër rezulton përfituesja kryesore e kontratave të AKSHI-t.
Por ndodhi çudia..
Në momentin kur këto zhvillime po dilnin në publik dhe vëmendja ishte e përqendruar tek një nga skandalet më të rënda të prokurimeve publike, vetëm pak orë më pas në Kuvend u depozitua kërkesa për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Pesha politike e Ballukut e zhvendosi menjëherë fokusin mediatik nga hetimet e AKSHI-t drejt mandatit të saj, nisur edhe nga interesa të forta mediatike që rrjedhin prej parave të AKSHI-t duke e zbehur në mënyrë të ndjeshme vëmendjen ndaj operacionit të bujshëm të prokurorit special Bledar Maksuti.
Ky sinkronizim kohor, qoftë edhe i rastësishëm ka nxitur skepticizëm dhe dyshime në opinionin publik dhe në rrjetet sociale, ku jo pak komente kanë ngritur pikëpyetje mbi nxitimin për të dërguar kërkesën për Ballukun, gjë që do të largonte vëmendjen nga aksioni ndaj AKSHI-t.
Pjesë e skemës duket se u bë edhe opozita, e cila po ashtu dukej se nuk kishte interes të flitej për AKSHI-n.
Dyshimet marrin krah edhe nga fakti se Gjykata Kushtetuese sapo kishte rikthyer Ballukun në detyrë.
Në këtë kontekst, procesi ligjor mbetet elementi kyç që i jep legjitimitet çdo hetimi, veçanërisht kur bëhet fjalë për figura të larta politike.
Mënyra dhe koha e ndërmarrjes së hapave proceduralë, duhet të shërbejnë për të forcuar besimin e publikut te drejtësia përmes shmangies së ngarkesave që mund të perceptohen në forma të ndryshme nga qytetarët. /skyweb.al










