Autoritetet shqiptare kanë arrestuar një 39-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga shteti spanjoll.
39-vjeçari Elion Vathi Kaçi, është arrestuar në Kamëz teksa Spanja ka lëshuar rudhër-arrest ndaj tij për konsumimin e veprës penale “Vrasje”.
Arrestimi i Elion Kaçit u bë i mundur nga Interpol Tirana dhe Forcat Operacionale, ndërsa 39-vjeçari do të ekstradohet drejt shtetit spanjoll për të kryer dënimin.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Lacking” nga Forca e Posaçme Operacionale në bashkëpunim me Sektorin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë.
Lokalizohet dhe kapet një 39-vjeçar, i akuzuar për “Vrasje” nga autoritetet spanjolle.
Forca e Posaçme Operacionale në bashkëpunim me Sektorin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Lacking”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja me qëllim ekstradimin drejt Spanjës të shtetasit:
E. V(K)., 39 vjeç, banues në Kamëz.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore në Spanjë, kanë lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale ‘Vrasje” parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese spanjolle, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi,” thuhet në njoftimin e policisë.